Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Koalicioni për të Drejtat në Punë: “Reforma e pagave thellon pabarazinë”

Reforma e qeverisë për rritjen e pagave konsiderohet si e paplotë dhe thelluese e pabarazisë nga Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë, një grup prej 8 sindikatash dhe organizatash që lobojnë për të drejtat e punëtorëve.

“Paga e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Deputetit, Ministrit, rritet në nivele që shkojnë nga 80 deri në 97% ndërkohë që pagat e punonjësve të sektorëve publikë si arsimi, shëndetësia, policia e shtetit rriten në nivele të papërfillshme dhe të pakrahasueshme me Institucionet e mësipërme, në përqindje”, -thuhet në deklaratën e publikuar nga Koalicioni.

Ervis Çota nga Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome, u shpreh për Citizens Channel se ka një trajtim të pabarabartë në këtë vëmendje të qeverisë për pagat.

“Kemi një rritje page në % më të lartë në institucionet e larta të administratës shtetërore në raport me punonjësit e sektorëve të tjerë publikë si arsimi, shëndetësia, policia etj. Ky trajtim i pabarabartë dhe diskriminues impakton negativisht këto kategori punonjësish pasi nuk u mundëson atyre të rrisin standartin e jetesës njësoj, e për më tepër të përballojnë rritjen e kostove të jetesës duke marrë parasysh rritjen e çmimeve”,-thekson Çota.

Sipas tij, më të prekur mbeten grupet e margjinalizuara.

“Nga gjithë ky reformim i sistemit të pagave dhe rritjes se pagës minimale, më së shumti janë prekur punonjësit e grupeve të margjinalizuara që punojnë kryesisht me sektorin e pastrim-gjelbërimit, fasonerisë etj. Këto kategori punonjësish megjithëse nuk janë përfshirë në optikën e qeverisë për tu trajtuar me rritje page dinjitoze, nuk po arrijnë të marrin as pagën minimale të miratuar me vendim. Ky lloj trajtimi i pabarabarte dhe abuziv ndikon negativisht në cilësinë e jetesës së këtyre punonjësve dhe familjeve të tyre”,-argumenton Ervis Çota.

Ndërsa përfundon se “paga qesharake që ata marrin nuk u del për të përballuar rritjen e çmimeve të shportës, e jo më të përballojnë shpenzimet e tjera të jetesës si pagesa e faturave të dritave dhe ujit, blerja e medikamenteve, mbulimi e shpenzimeve për strehimin, arsimimi i femijëve”.

Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë u shpreh se kjo rritje e pagës është e pakonsultuar me grupet e interesit dhe nuk merr parasysh shtresat vulnerabël në kohën kur rritja e pagës minimale nuk po gjen ende zbatim në secilin sektor.

Mes të tjerash, Koalicioni kërkoi përmbushjen e disa kërkesave nga qeveria shqiptare, sikurse një rritje të pagave në mënyrë të drejtë dhe sa më gjithëpërfshirëse; nisjen e dialogut me grupet e interesit për reformimin e sistemit të pagave në sektorin privat; përllogaritjen e minimumit jetik në shkallë vendi si dhe krijimin e një task force të përbashkët mes institucioneve ligjzbatuese dhe grupeve të interesit për të monitoruar zbatimin e pagës minimale në çdo sektor të ekonomisë.

Kryeministri Rama para zgjedhjeve vendore shtroi në retorikën publike rritjen e pagave me synimin rritjen e pagës mesatare nga 530-euro në 900-euro deri në vitin 2024.

Projektligj, i cili kaloi në Kuvend pas zgjedhjeve, përmes së cilit përfitojnë Kryetari i Kuvendit, deputetët, ministrat dhe Kryeministri.

Ndërkohë, reforma e rritjes së pagave prek edhe 18 mijë punonjës të administratës qendrore, 25 mijë punonjës të administratës vendore, 36 570 punonjës të sistemit arsimor para universitar, 4,237 punonjës të sistemit arsimor universitar, 18,858 punonjës të sistemit shëndetësor, 6,756 punonjës të forcave të armatosura, 3,566 punonjës të policisë së burgjeve, 1,181 punonjës të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, 367 punonjës të shërbimit diplomatik, 171 punonjës të AKSHI-t dhe 9000 punonjës mbështetës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *