Citizens.al

“Ëndrrat e refugjateve afganë, mes Shqipërisë dhe perëndimit”

Dita e refugjatëve me kujton dhimbjen e të qenit një emigrant pa kombësi, ditën që unë u largova nga shteti im nën dhunë dhe frikë, ditën që shteti im ra në duart e tiranëve dhe të terroristëve”.

Kështu shprehet Anaheeta Heidari, refugjate nga Afganistani, e cila prej shtatorit të vitit 2021 qëndron në Shqipëri, në pritje për të ikur në Amerikë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, Anaheeta rikthen në kujtesë terrorin dhe ardhjen e asaj që ajo quan “regjimin e tiranëve” që e detyroi atë dhe qindra afganë të tjerë të largohen nga shteti i tyre.

Pas ndryshimit të regjimit, familja e saj është tërësisht e shpërndarë në shtete të ndryshme. “Prindërit e mi janë në Turqi bashkë me dy motrat e mia. Motra tjetër është në Pakistan, dy vëllezërit e mi shkuan në Amerikë. Unë me motrën time jemi në Shqipëri”, – rrëfen për Citizens Channel Anaheeta.

“Shpresoj që të bashkohemi së shpejti”, – shton ajo.

Anaheeta Heidari

Anaheeta e konsideron Shqipërinë një vend mikpritës dhe qëndrimin këtu si të rehatshëm, por larg nga jeta e saj e mëparshme.

Ne jetojmë këtu si mysafirë. Jemi larg nga hapësirat e studimit, të punës dhe çështjeve të tjera që unë i kisha në vendin tim”.

Heidari është një nga 450 refugjatët afganë që ndodhen prej një periudhe të gjatë në Shqipëri. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka më shumë se 1050 afganë të strehuar, ku pjesa më e madhe kanë ardhur dy muajt e fundit. Në total, prej vitit 2021 në Shqipëri kanë ardhur më shumë se 3000 refugjatë afganë.

Situata e vajzave dhe grave afgane në sytë e refugjatëve gra

Anaheeta Heidari është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe ka në fokus çështjet që lidhen me të drejtat e vajzave dhe grave.

Prej ardhjes se regjimit të talibanëve, jeta e vajzave afgane është kufizuar tërësisht. Tashmë ato nuk mund të ndjekin shkollën e mesme apo të lartën.

Kombet e Bashkuara raportojnë se vajzat dhe gratë afgane tashmë janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi, nuk mund të aksesojnë parqet, palestrat apo klube sportive, nuk mund të punojnë në organizata, në poste publike apo në sistemin gjyqësor dhe duhet të veshin një kod strikt veshjeje.

Ashtu si Anaheeta Heidari, edhe Soraya Amiri është kryesisht e fokusuar në çështjet gjinore. Ajo ka punuar në Afganistan për pesë vite në median “Tolo news”. Menjëherë pas ardhjes në pushtetit, talibanët morën nën kontroll median dhe jetën e grave. “Ne humbëm të gjitha arritjet tona, humbëm lirinë tonë”, – thotë Soraya.

Soraya Amiri

Prej 40 vitesh talibanët vetëm kanë vrarë, vrarë, vrarë dhe viktimat kryesore të kësaj situate janë gratë. Unë mendoj shumë për gratë, por nuk e di nëse jam feministe apo jo. Nëse do të kisha mundësi, do të punoja vetëm për gratë.”, – shpjegon ajo.

Soraya ishte ndër refugjatet e parë që mbërriti në Shqipëri dhe prej janarit të vitit të shkuar ndodhet në Kanada. “Tani që jam në Kanada mendoj shpesh mbi Shqipërinë, për njerëzit e Shqipërisë. Ata ishin kaq të sjellshëm dhe mikpritja e tyre do të thotë shumë për ne”.

Thirrja e përbashkët e Sorayas dhe e Anaheetas është që refugjatët të mos dorëzohen dhe të luftojnë që të përmirësojnë jetët e tyre, kudo ku ndodhen.

Si një refugjate grua dua të falënderoj të gjitha vendet e botës që na ndihmojnë ne dhe refugjatë nga Ukraina, Siria, Etiopia. Dua tu them refugjatëve nga vendet e ndryshme: mos i humbisni kurrë shpresat”, – përmbyll Soraya Amiri.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW