Citizens.al

“Ura e Zogut në mëshirë të fatit”

Aktivistë nga organizata “Sebastia” në Kurbin përsëritën sërish kërkesën që të fillohen menjëherë punimet  për ndërhyrjen te Ura e Zogut, Monument Kulture e Kategorisë së Parë, që është dëmtuar rëndë nga vërshimi i lumit Mat viti ne shkuar.

Organizata “Europa Nostra” e listoi këtë monument si një ndër 7 sitet më të rrezikuara në Evropë dhe hartoi një plan emergjence për ta shpëtuar monumentin.

Qeveria shqiptare publikoi në shkurt të këtij viti planin për ndërhyrjen, i cili u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa në muajin prill u miratua fondi prej 57.5 milion lekësh për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.

Megjithëatë në terren situata ka mbetur në vend numëro. “Po risjellim në vëmendje çështjen e Urës së Zogut që të mos harrohet dhe t’i rikujtojmë institucioneve të mbajnë premtimet që ata kanë bërë para zgjedhore, që pas zgjedhjeve mos të bien në heshtje totale”, – thotë për Citizens Channel Emarilda Leti nga organizata “Sebastia”.

Në dy muaj ne presim vjeshtën dhe urojmë që vjeshta mos të jetë fatale për urën”, – vijon më tej Leti.

Banorë të zonës e konsiderojnë këtë monument të një rëndësie të veçantë në rang kombëtar.

Të mundesh të vësh dorë në të, është mrekullia e zotit për popullin shqiptar”, i tha Citizens Channel një nga banorët e zonës.

Organizata Europa Nostra ka hartuar një plan të detajuar teknik për rikonstruksionin e objektit. Kostot totale të parashikuara përllogariten në 600.000 euro, fond i cili duhet alokuar nga qeveria shqiptare. Ndërhyrjet, thekson raporti, duhet të bëhen para tetorit të këtij viti, pasi reshjet e forta mund t’i japin goditjet përfundimtare urës.

Urat i merr lumi – Ministria e Kulturës, mbron fantazmat e tyre

Ura e Zogut nuk është i pari monument kulture, i cili cilësohet si një nga më të rrezikuarit të Evropës. Më herët, Amfiteatri i Durrësit do të ishte ai që do të tërhiqte vëmendjen e evropianëve si më i rrezikuari për vitin 2013 dhe Teatri Kombëtar i cili u nominua në listën e 7 objekteve më të rrezikuara për vitin 2020. E ndërsa Teatri u shemb brutalisht mëngjesin pa gdhirë të 17 majit 2020, do të konsiderohej një rast i paprecedent në komunitetin evropian të shkatërrimit me dashje të trashëgimisë së vlerësuar dhe nominuar.

Paneli Këshillimor i Programit “7-të më të Rrezikuarat” komentoi se: “Ura e Zogut është zyrtarisht një monument kombëtar, por nuk është kryer asnjë mirëmbajtje gjatë shumë viteve, duke rezultuar në faktin se një nga shtyllat ka pësuar rënie përkatëse dhe e gjithë ura është duke u përballur me një rrezik shumë të lartë shembjeje lidhur me dëmtime të tjera dytësore. Gjithsesi, për sa kohë që zgjidhja për riparimin e tij mund të identifikohet dhe zbatohet lehtësisht, nëse kryhet shpejt, nuk do të kishte nevojë për një mobilizim të madh fondesh”.

Paneli Këshillimor gjithashtu theksoi se “Ura e Zogut, duke qenë një kryevepër e inxhinierisë së ndërtimit të fillimit të shekullit të XX-të në Ballkan, meriton vëmendje dhe kujdes, që do të rezultonte në rritjen përfundimtare të vlerave të saj goditëse”.

Vitet e fundit janë disa ura, të cilat edhe pse nën mbrojtjen të shtetit janë shembur plotësisht, duke humbur kështu një pjesë të trashëgimisë kulturore e historike.

Ura e Bahçallëkut në Shkodër, Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, u shemb për shkak të prurjeve të lumit dhe mungesës së ndërhyrjeve për ta shpëtuar. Ura e Hoshtevës në Zagori të Gjirokastrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ndërtuar gjatë periudhës së Ali Pashës, u shemb në vitin 2021 duke humbur në rrjedhën e lumit.

Prurjet e Osumit në vitin 2021, shkatërruan edhe harkun e mbetur të urës së Orgockës, në Kolonjë, në të cilën nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje restauruese ndër vite. Ura e Orgockës, i përkiste shekullit të 18-të  dhe përfaqësonte një vepër të rrallë inxhinierike, të ndërtuar e gjitha në gurë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *