Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pasojat e korrupsionit”, dështimi i inceneratorëve rikthen problemin e plehrave në Divjakë

“Atje ka qenë një fushë futbolli, me dushe, me dhoma, e rrethuan dhe e prishën. E prishën dhe e mbushën me plehra! ”- i tha Citizens Channel Agim Buzi, banor i fshatit Grabjan të Lushnjes.

Vetëm 1 km larg qendrës së fshatit ndodhet vendgrumbullimi masiv i plehrave, i cili i ka zënë vendin e asaj që dikur shërbente si ambientin sportiv dhe argëtues për të rinjtë e zonës.

Pamje nga dhomat e zhveshjes se fushes se sportit te dikurshme

Përpara katër ditësh banorët e Grabjanit organizuan një protestë kundër bashkisë. Ata pretendojnë se në landfillin e fshatit po depozitohen edhe mbetjet e zonave përreth që po vijnë me kamionë.

“Në fillim nisën t’i hidhnin në Çermë, Çerma bëri protestë, i sollën në Grabjan. Kishte thënë Bashkia që vetëm për një farë kohe, pastaj do ndalonin “- tregon një tjetër banore e zonës.

Protesta morri vëmendjen e mediave për shkak të reagimit që kryebashkiaku i Divjakës Josif Gorrea bëri ndaj protestuesve, duke i etiketuar me fjalë fyese.

Në terren banorët i thanë Citizens Channel se që pas protestës nuk ka pasur më kamionë që kanë shkarkuar mbetje të ardhura nga jashtë zonës.

Në një bisedë telefonike, Josif Gorrea i tha Citizens Channel se protestat kanë nisur pasi ai shkarkoi nga puna “gratë e disa punonjësve“ të institucionit që ai drejton. Fillimisht ai mohoi se incineratorin e Fierit ka ndonjë mosfunksionim, por më pas pranoi të kundërtën.

“Unë kam plan që t’i mbuloj ato mbetje dhe nëse. në të ardhmen djegësi do funksionojë patjetër që në kohen e duhur do i çojmë atje për t’i djegur, për t’i përpunuar. Po për momentin mendova, ishte një e mirë e vogël, që t’jua mbuloja atyre banorëve atje, e quajta më mirë t’i mbuloj, sesa t’i lë ashtu zbuluar“- tha Gorrea për planin e tij afatshkurtër.

“Korrupsioni me inceneratorët rikthen problemin e mbetjeve”

Ndryshe nga sa deklaroi Kryebashkiaku Gorrea, bashkia që ai drejton nuk ka firmosur një marrëveshje me inceneratorin e Fierit për shkak të mungesës së fondeve.

Në janar të vitit 2023, inceneratori i Fierit u sekuestra pas akuzave të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ku u proceduan 16 zyrtarë. Impianti i kaloi në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, e cila i kërkoi bashkive një tarifë prej 12 eur/ton, që nuk u nënshkrua nga Bashkia e Divjakës.

Qytetarët shqiptarë kanë paguar 32 milionë euro për inceneratorin e Fierit, i cili për shkak të problemeve ka funksionuar kryesisht vetëm si vend depozitimi. “Problemet me djegësin”, sipas kryebashkiakut Gorrea e kanë detyruar sërish bashkinë e Divjakës të rikthehet në vend depozitimet vjetra.

Banorët i druhen dëmeve në shëndet që mund të shkaktoj në të ardhmen e afërt ndotja që prodhon landfilli i mbetjeve.

“Unë jam hallexhi, jam i sëmurë me zemër, edhe detyrimisht që këto plehrat këtu, komplet të hiqen dhe t’i gjendet vendi“- rrëfen Kujtim Jonuzi, i cili jeton pak metra larg malit me plehra.

Ai gjithashtu konfirmon se tashmë në fshat nuk ka asnjë hapësirë argëtuese apo sportive për të rinjtë që nga zënia e ish – fushës së sportit, e cila prej më shumë se 10 vitesh është i mbushur me mbetje.

“Është një fushë e vogël atje, paguajnë lekë ata që shkojnë atje tani, e ka privati. Për gjynah të zotit ta lesh atë aty. Hiqi plehrat, bëje fushën e sportit, aktivizo të rinjtë dhe kaq! “- përfundon Jonuzi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *