Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Luma”, një udhëtim në luginën e Valbonës

“Çfarë është lumi për ty?”– ishte pyetja e cila iu drejtua banorëve të luginës së Valbonës, që jetojnë pranë lumit me të njëjtin emër.

Ndjesitë dhe kujtimet e tyre u prezantuan në një dokumentar të shkurtër të quajtur “Luma”, që u shfa për publikun fundjavën e shkuar në qendrën sociale “Urban House”.

Përmes zhurmave dhe tingujve të Valbonës, pamjeve piktoreske të peizazhit që shtrihet dhe përjetimeve personale, dokumentari solli për publikun lidhjen shpirtërore të njeriut me lumin.

“Rreth lumit ka lindur edhe jeta. Ky ishte ngacmimi jonë i parë që të tregojmë në një dokumentar që ka më pak fjalë, por më shumë imazhe, më shumë ndjesi, më shumë perceptime që shkojnë përtej fjalës se çfarë vërtet përfaqëson lumi për njerëzit”,- shprehet për Citizens Channel Rea Nerpavishta nga organizata “World Life Adria” që ka realizuar dokumentarin.

Rea Nepravishta

Sipas Nepravishtës, mënyra e realizimit të dokumentarit tregon edhe ndjesitë shpirtërore të banorëve kundrejt lumit: “Edhe avashtësia dhe gjithë ndjesia që mundohet të japë dokumentari është ajo e të treguarit edhe të një lloj spiritualiteti që lidhet me lumin. Sepse në fakt lumi Valbonë është ai djepi nga ku kanë lindur folklori, gojëdhëna, këngë që pastaj kanë pasuruar dhe janë bërë pjesë e të gjithë Shqipërisë”.

Ndjesi kjo e përcjellë edhe te ndjekësit e tjerë të dokumentarit.

“Është një perspektivë tjetër që e sjell Valbonën ndryshe. Arrita edhe unë të shtangesha nga pjesa e parë në pjesën e dytë, kur kaloi në efektin e hidrocentraleve, edhe pse nuk e prisja se u zhyta aq shumë në bukurinë, deri në atë pikë kisha menduar që filmi ishte për vlerat e ujit”,- u shpreh Ermelinda Mahmutaj nga qendra mejdisore “Eden”.

Lumi dhe “ndikimet e jashtme” 

“Kur të rritesh edhe ti do të punosh këtu. Do të bluash drithin e grurin e të tana. E blen grurin e bardhë në Bajram Curr dhe e sjell këtu për ta bluar, ku ka qenë mulliri i babës dhe gjyshit tënd”,-i shpjegon gjyshi nipit në një pjesë të dokumentarit, teksa i tregon rrënojat e një mulliri të vjetër të familjes së tyre.

Në sfondin e lidhjes emocionale të banorëve me lumin, dokumentari paraqet ndikimet e jashtme që rrezikojnë luginën. Ndërtimi i dy hidrocentraleve, nga 14 të planifikuar në Valbonë përmbyll dokumentarin duke ilustruar rrezikun që ato paraqesin jo vetëm në mjedis, por edhe në jetën e banorëve atypari.

“Dëshirojmë që të mos ndodhë kasaphanë e madhe në këtë luginë, se përndryshe do të bëhet e pabanueshme dhe e papërshtatshme. Ne kemi bllokuar rrugën kombëtare 7 orë, për të shkuar te HEC-et. Ka ardhur edhe policia. Por të paktën si rezultat i protestave u mundësua që të mos shkatërrohej gjithçka, sepse ishin planifikuar të ndërtoheshin 11 HEC-e për ta çuar Dragobinë dhe Valbonën për mos me jetu kërrkush në ta”,- shprehet një nga banorët në “Luma”.

Të dy Hidrocentralet e Valbonës vijojnë të jenë në proces gjyqësor, e megjithëatë, aty vijojntë shitet energji.

“Ata janë duke prodhuar dhe shitur energji në mënyrë të kundraligjshme sepse vendimi i vitit 2021 të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë e ka ndaluar këtë hidrocentral deri në marrjen e vendimit përfundimtar mbi cështjen e cila vazhdon të jetë akoma në gjykatë. Dhe duke ditur edhe kohët e gjykatave tona tashmë, kushedi se kur do të dalë ky vendim. Dhe në mënyrë të paligjshme ato vazhdojnë dhe funksionojnë”,-argumenton Rea Nepravishta.

Pas vitesh beteja ligjore dhe protestash kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve “Dragobia dhe Çerem” nga “Dragobi Energy Sh.p.k”, 100% në pronësi të “Gener 2”, në korrik të vitit 2021, Gjykata e Lartë e Apelit vendosi pezullimin e kontratës koncensionare dhe të çdo punimi, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.

U deshën disa muaj që ky vendim të hynte në fuqi. Në nëntor të vitit 2021, përmbaruesja e Kukësit Satbere Shahu kreu një vizitë në terren, ku u konfirmua zbatimi i vendimit të Gjykatës së Lartë. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe pati sërish një përmbysje të situatës. Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë lumi vijon të përdoret pa asnjë pengesë për prodhim energjie.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *