“I plagosuri kishte marrë policinë, ka marrë ambulancën, pra të gjitha përpjekjet që mund të bënte një person i aksidentuar. Për shkak se këto struktura nuk kishin pajisjet e duhura, nuk arrinin dot në pikën ku ishte alpinisti “- thotë Erkin Lika, nga Shërbim Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë (ShKShMal).
ShKShMal në bashkëpunim me Qendrën Vullnetare të Emergjencave Civile mundësuan dje evakuimin e një alpinisti të dëmtuar nga Boga. Operacionin e kërkim – shpëtimit e njoftoi edhe Policia e Shtetit, si një punë 12 orarëshe e tyre, në një terren malor.
Erkin Lika nga ShKShMal tregon për Citizens Channel se njoftimi për alpinistin e dëmtuar erdhi në orën 17 nga një pjesëtarë i grupit të tyre, i cili rastësisht po realizonte një ngjitje të lirë aty pranë.
Lika tregon se ishin gjashtë veta nga grupi ShKShMal, të cilët u takuan me zjarrëfikësen e zonës rrugës. Në momentin që u konstatua se kishte rrezikshmëri dhe se zjarrfikësit nuk kishin veshjet e duhura për atë lloj ngjitje, u fol për nevojën që mos të rrezikohej një incident i dytë dhe u ra dakort që ata të na prisnin në një pikë ankorimi.
Në orën tetë grupi mbërriti në Bogë nga Tirana ndërsa ngjitja mori tre orë, për të arritur në majë të malit.
“Nga maja deri poshtë u bë transporti fizik, i cili deri në gjysmën e rrugës është realizuar vetëm nga ShKShMal, në një disnivel 700 metra akull dhe borë , pastaj vazhdonte pylli. Janë bërë në total 10 ndalesa “- rrëfen Lika.
Ai vijon se policia alpine dhe zjarrfikësja u bashkua me grupin e tyre në pjesën e thatë ku nuk kishte rrezikshmëri për jetën. Alpinisti i dëmtuar e pranoi se për shkak të një pakujdesia nga rrëshqitja pësoj një ndrydhje të këmbës. Tanimë pas një ndërhyrje në Spitalin Ushtarak ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore.
“Nuk duam të krijohet ideja hajde se janë këto dhe shkojnë këta! Nuk mund të kapet barrela 50 metra afër ambulancës dhe të bësh një foto, sepse është mungesë respekti për të aksidentuarin por edhe për punën tonë“- theskon Lika.
Puna, kontributi dhe të gjitha pajisjet që përdor ShKShMa janë në bazë vullnetare.
“Ne nuk jemi në garë, duam bashkëpunim për shpëtimin e jetëve, sepse në këto terrene ka nevojë për më shumë forca njerëzore“- përfundon ai.
Si u krijua Shërbimi Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë?
Një nga anëtarët e ShKShMal, Ornold Bazaj, rrëfen për Citizens Channel se kjo strukturë, e cila është pjesë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit ka rreth dy vite që funksionon.
“Kemi të gjithë pasion alpinizmin dhe i njohim vështirësitë e alpinizmit, menduam që të mblidhemi vullnetarisht të krijojmë këtë grupim. Në këto dy vite bëjmë stërvitje periodike në zona dhe terrene të ndryshme si shpella, kanione etj“- tregon Bazaj.
Gjithashtu një nga arsyet kryesore që solli lindjen e kësaj strukture ishte zhvillimi i turizmit në vitet e fundit, që rrit dhe nevojën e ndërhyrjes në emergjenca. Pikat më problematike përmendim në veri të vendit, Boga, Thethi, Valbona, ndërsa për jugun, Parku Kombëtar i Llogorasë, Gjipe, Kanionet e Osumit ose Langarica në Përmet.
“Ne thirrjet kryesisht i marrim nga emergjencat civile, pra njerëzit kontaktojnë policinë, 112 ose 129 dhe ato bëjnë kanalizimin e strukturave të tjera. Mund të kontaktohet Federata Shqiptare e Alpinizmit, por mund të kontaktohen edhe personalisht anëtarët e Kërkim – Shpëtimit“- shpjegon Bazaj.
Sipas tij, një nga arsyet që sjell pjesën më të madhe të incidenteve është mungesa e informacionit nga ana e turistëve. Ai sugjeron se marrja e guidave lokale, do ishte rasti më ideal i mundshëm ose do të ishte ndihmuese edhe nëse alpinistët apo eksploruesit të linin një kontakt ose njoftim te të afërmit për destinacionin që zgjedhin.
“Ne nuk i zëvendësojmë institucionet , ne japim ndihmën tonë! Sado që të trajnohen efektivët e policisë, ne jemi të lidhur me malet, dalim çdo fundjavë, i njohim zonat me përpikmeri, më e mira do të ishte një bashkëpunim më efektivë mes nesh“- përfundon Bazaj.
Deri më tani ShKShMal ka asistuar në gjetjen dhe shpëtimin e tre personave, por gjithashtu ka ndihmuar në transportimin sipas rregullores së trupit të një turisteje gjermane, në disnivel 400 metra, në malin Arapaj.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.
One Response
Interesant eshte fakti qe ju mbeshtesni direkt ose indirekt me artikuj grupime njerzish qe nuk jane legjitim per te zevendesuar detyrat funskionale te organeve shteterore sic eshte rasti i “Kerkim Shpetimit Alpin”.
Cfare eshte ky grupi? mbi cbaze operon? kush i ka aktivizuar? i gjithe ky show eshte jo vetem i turpshem por tej mase i rrezikshem dhe eshte i denueshem!
Mision shpetimin e jetes ne republiken e shqiperise e ka MZSH dhe kjo strukture duhet fuqizuar qe te jete e afte te kryej detyren dhe ti sherbej qytetareve te republikes ne bashkepunim me Policine dhe QKUM.
Kto Qendra kombetare e emergjencave civile etj qe nuk paguajn as detyrimet e taksave ne tatime dhe bejn show duke riskuar jeten e njerzve, qe nga levizja me ambulanca e drita blu dhe deri ke akrobacirat e rrezikshme me tek litare te kryera nga ambatore duhen ndaluar urgjentisht!