Shqipëria po hyn në përfundim të muajit të dytë të izolimit që nisi pas shfaqjes së rastit të parë pozitiv ndaj COVID-19 në 9 mars. Prej rreth dy muajsh shkollat, transporti urban, bizneset dhe lëvizja e qytetarëve është e kufizuar.
Plani financiar i qeverisë për përballimin e kësaj situate konsiston në tre paketa financiare, e para prej 53 milionë euro ku ofrohej mbështetje për biznesin e vogël, të mesëm, fasonët, të punësuarit apo të vetë punësuarit që iu mbyllën aktivitetet. Kjo kategori përfitoi atë që u cilësuar si “paga e luftës” prej 26 mijë lekë të reja.
Disa javë më vonë, më 13 prill, u prezantua paketa e dytë ku u deklarua se do të mbështej me një pagesë 40 mijë lekësh, 176 mijë familje në total dhe se shuma do të fillonte të shpërndahej në datën 20 Prill.
Por nuk janë të paktë qytetarët rrëfejnë se asgjë nuk ju është hedhur në llogarinë bankare, pavarësisht se kriteret ju përputhen me ato të përcaktuara në paketat e ndihmës.
Pandora Vangjeli, 25 vjeç, asistente fluturimi në një kompani private me bazë në Tiranë ka humbur vendin e punës si pasojë e shkurtimit të stafit. Ajo rrëfen se ka marrë një lajmërim 10 ditë më parë nga institucioni ku punonte se është bërë aplikimi për përfitimin e ndihmës por ende nuk është aprovuar.
“ Jam përpjekur të evitoj gjërat e panevojshme duke qenë se faturat dhe qeranë vazhdoj ti paguaj rregullisht. Une jetoj me motrën dhe fatmirësisht ajo vazhdon te punojë nga shtëpia. Me rrogën e saj dhe disa kursime të miat ja kemi dal deri tani, shpenzimet tona kanë qenë vetëm për shlyerje detyrimesh dhe ushqime.
Pandora Vangjeli
Duhet theksuar që nëse situata vazhdon kështu dhe nuk marrim as pagën e luftës do kemi probleme në shlyerjen e detyrimeve” shprehet Vangjeli.
Platformat online të aplikimit për ndihmën duket se nuk janë të aksesueshme nga të gjithë. Pranvera Misiri, 53 vjeçe ka më shumë se një vit që punon në pastrimin dhe mirëmbajtjen e një bari, aktualisht është në pritje të rihapjes së aktivitetit. Përveç vështirësive ekonomike ajo tregon se nuk ka dijeni se kur do ta përfitojë ndihmën.
“Asnjë lloj shpjegimi nuk na është dhënë. Pronari më ka thënë që kur do ti hedhin do më lajmëroj. Ai është marrë me aplikimin se unë nuk di të veproj online. As se kur do hapet bari, as se kur do kaloj paga nuk di të them” citon Misiri.
Pranvera Misiri
E njëjta situatë edhe për Agim Kamberin, fatorino i një linje urbani në Durrës, i cili është në pritje gjithashtu.
“Pres mesazhin nga Raiffaisen Bank, drejtori ka disa ditë që ka bërë aplikimin. Edhe puna pres të rihapet kur të na vijë urdhëri” tregon ai.
“Pyet çfarë të duash…në Facebook ose TV”
Edhe pse kanë kaluar shtatë javë izolim, qytetarët janë të paqartë për masat shtrënguese që ndryshojnë vazhdimisht, paketat ekonomike, mënyrën si ato përfitohen, kohën kur do të mbërrijnë dhe kriteret që i kualifikojnë apo i përjashtojnë ata nga procesi.
Prej disa kohesh ka nisur një format i ri dhe i pazakontë në emisionet politike të mbrëmjes nga televizionet kombëtare. Përfaqësues të qeverisë shpenzojnë orë të tëra për të sqaruar individë të cilët ngrenë shqetësimet përmes komenteve në rrjetet sociale apo mesazheve në numrat e afishuar të telefonit. Kohë televizive e cila i merret debatit, përballjes me gazetarët dhe procesit të llogaridhënies që një funksionar publik supozohet të ketë kur del në media.
E njëjta gjë përsëritet edhe në profilin e Kryeministrit Edi Rama, në bashkëbisedimet me qytetarët.
Vetëm sot, mbi 4 mije e 400 qytetarë ju pergjigjën thirrjes së Kryeministrit duke drejtuar pyetje apo shqetësime përmes “Facebook”.
Mijëra persona të shqetësuar dhe të pa informuar që presin përgjigje nga Kreu i qeverisë përmes telefonit celular.
A është ky një model i suksesshëm bashkëbisedimi, apo numri tej mase i lartë i komenteve tregon që mekanizmat e ngritura deri tani për informimin kanë qenë të pasuksesshme?
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.