Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Dibra ikë, jemi të shkulun”, banorët i druhen përmbytjes nga ndërtimi i Hidrocentralit Skavica

I moshuari Selim Elezaj druhet se ndërtimi i hidrocentralit Skavica në lumin Drin do të  përmbytë gjithçka ai zotëron në Dibër. Selimi jeton në fshatin Zall-Reç dhe nuk ka lëvizur nga Dibra, ndonëse i ka pasur mundësitë.

Frika më e madhe është se ne s’do kemi tokë, pasuri, njerëzi. Varret na mbytën e shtëpitë na mbyten. Ma keq s’ka mo”, – shprehet ai për Citizens Channel.

Selimi ka dëgjuar përmes televizorit për planet e ndërtimit të Skavicës dhe nivelin e kuotave të digës mbi nivelin e detit, që nënkuptojnë për të dhe shumë banorë të tjerë, zhdukjen nën ujë të vendlindjes. Pjesa tjetër për ta mbetet tërësisht e paqartë.

“Hiç! As na ka pyt kush se çfarë bahet, se ku bahet e si bahet”, – pohon më tej Selimi.

Selim Elezaj, banor i fshatit Arrëz, Dibër

Të paqarta duket se janë edhe institucionet shqiptare, të cilat prej më shumë se dy vitesh mbajnë në nivel deklaratash të mirat që do t’i sjellë hidrocentrali Skavica Shqipërisë. Sa i përket dokumenteve, ende shumë pak informacione janë të bëra publike.

Citizens Channel iu drejtua KESH (Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare) me anë të një kërkesë për informacion për të mësuar cilat fshatra do të preken nga kjo vepër hidrike, dhe çfarë do të ndodhë me banorët.

Përmes një përgjigje me shkrim, KESH pohoi se “po kryhen vlerësimet e nevojshme për përcaktimin e të dhënave të hidrocentralit dhe si rrjedhojë, përcaktimi i zonave që do të preken nuk është përcaktuar ende”.

Sa i përket dëmshpërblimeve, KESH nuk dha një përgjigje. Citizens iu drejtua edhe kompanisë amerikane “Bechtel” për një koment.

Pas disa tentativash për t’u lidhur me përfaqësues të kompanisë, si pasojë e adresave jofunskionale të kontaktit të publikuara në faqen zyrtare, Citizens Channel mori përgjigjen nga Bechtel se projekti është ende në fazë studimore dhe se nuk mund të japin informacione të mëtejshme.

Pavarësisht se informacioni mungon, në zonë janë shfaqur makineritë e para. Kamionë të mëdhenj lëvizin lirisht aty ku planifikohet të ndërtohet diga.

Qeveria shqiptare është besimplotë se “Skavica” do ta shpëtojë Shqipërinë. “Skavica është garanci për sovranitetin energjetik të Shqipërisë që nuk e kemi sot”, – u shpreh Kryeministri Edi Rama, në korrik të këtij viti, ndërsa i quajti zërat kritikë “një pjesë që do t’u dalë vesi me shpirtin”.

Analizë: Kuotat mbi nivelin e detit dhe ndikimi

Ajet Lusha ka investuar një jetë të tërë për të ngritur biznesin familjar ne fshatin Arras, në Dibër. Ai zotëron një hotel dhe restorant, investimet rreth 60-vjeçare të së gjithë familjes së tij. Pak metra larg banesës, shikohet me sy lugina e Drinit të Zi.

Jemi të punësum, këtu e qesim noj lekë. Këtë biznes kemi. Punojmë, bereqaves, ka ec puna se në qoftë se punon ecën puna”, – shprehet Ajeti, i cili është mjaft i shqetësuar për planet e ndërtimit të Skavicës.

Në faqen zyrtare të KESH, përveçse cilësohet “Skavica” si një projekt që do ta kthejë Shqipërinë në një lider të rajonin sa i përket prodhimit të energjisë, përmenden edhe alternativat e kuotave: (1) deri në kuotën 388 metra mbi nivelin e detit ose (2) 443 metra mbi nivelin e detit.

Këtu, 410 metra mbi nivelin e detit jam unë. Ekzakt. Në 440 metra, Dibra ikë. Jemi të shkulun”, – pohon Ajeti, i cili i druhet humbjes së asaj që ka ndërtuar me shumë mund.

Ajet Lusha, banor në Arrëz, Dibër

Unë u investova, ua mora lekët djemve nga Anglia, i pruna në Shqipëri. Të hedhësh gjithë këto lekë edhe thotë do të vij do të të shkuli… unë se di këtë punë. Lajmërohet popullsia një vit, dy vite para”, – shfryn ai.

Biznesi i Ajetit ndihmon dhe fshatarët e Dibrës pasi ai ua blen atyre produktet.

“Sikur edhe një kafe të pijnë vizitorët na kemi fitim. Jo sikur të hajnë edhe të pijnë edhe… asht fitore e madhe. Për të gjithë fshatin, jo për mu”, – rrëfen Ajet Lusha. “Se fshati ruen pulat, unë shkoj dhe ua blej. Fshati ruen viçin, unë shkoj ua blej. Unë me fshatin punoj”.

“Një ëndërr për qeverinë shqiptare, një makth për dibranët”

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, nga ana tjetër, pas një inspektimi në terren në tetor të vitit të shkuar, e konsideroi hidrocentralin Skavica “Një ëndërr e të gjithë Shqiptarëve”.

Ne kemi nisur prej kohësh të mbajmë në kontakt të gjithë banorët e zonës apo të gjithë komunitetet që preken nga ky projekt kaq i rëndësishëm, për të dëgjuar nevojat e tyre”, – u shpreh Balluku.

Ndonëse ministrja pretendon të ketë komunikuar me dibranët, biseda me ta tregon një tjetër situatë. Prej muajsh, komuniteti dibran ka organizuar disa protesta ku kërkon transparencë dhe përfshirje në konsultimet publike.

Sipas gjeografit Adriatik Balla, ndërtimi i Skavicës është larg së qeni një ëndërr për dibranët.

“Kuota e cila është më shumë e përfolur është ajo e 443 metra mbi nivelin e detit, që çon në përmbytjen e disa fshatrave të 9 njësive administrative të Dibrës, nga 15 ekzistuese”, shpjegon Balla.

Zona e Reçit, e Dardhës, e Çidhnës, e Muhurrës dhe pjesërisht e Luznisë, preken shumë. Nga të dhënat që kam për këto 9 njësi, përmbyten 6000-7000 hektarë tokë, prej të cilave 5000 janë cilësi e lartë toke”, – thotë për Citizens Channel Adriatik Balla.

Ai shtoi se në lumin Drin janë ndërtuar tre hidrocentrale; ai i Fierzës, i Komanit dhe i Vaut të Dejës. Ndërkohë, në pjesën e Maqedonisë nga ku buron Drini i Zi, janë ndërtuar tre hidrocentrale të tjerë.

Hidrocentrali i Fierzës e ka fuqinë e instaluar 600 megavat, duke u pasuar nga ai i Komanit 500 megavat. HEC-i i Vaut të Dejës e ka 250 megavat, ndërsa, sipas deklaratave në media, “Skavica” do ta ketë fuqinë e instaluar 210 megavat.

Shfrytëzimi i lumit Drin për prodhim energjie, ka bërë që pjesa më e madhe e lumit Drin të kthehet në rezervuar.

I vetmi sektor i lumin Drin që nuk është prekur nga Ohri ku buron e deri ku derdhet në Bunë, që ruan ende tiparet e lumit është pjesa në Peshkopi”, – saktëson gjeografi Balla, i cili sqaron se HEC Skavica do të çojë në shpërnguljen e 20.000 dibranëve dhe do t’u pamundësohet jetesa 20.000 të tjerëve.

Qeveria Shqiptare: “HEC Skavica do të parandalojë përmbytjet në Shkodër”

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se HEC Skavica do të rrisë kapacitetin prodhues të energjisë elektrike në vend me 20%, ndërsa tha se ky hidrocentral do të parandalojë dhe përmbytjet në Shkodër.

Adriatik Balla, gjeograf

Sipas gjeografit Balla, që Skavica të prodhojë në rang kombëtar 20% të energjisë elektrike, duhet që Shqipëria të ketë reshje të vazhdueshme shiu. Në kushtet aktuale të mungesës së reshjeve, sipas Ballës, Skavica do të prodhojë më pak se 10% të energjisë elektrike.

Sa i përket uljes së përmbytjeve, Balla e konsideron këtë “një argument të varfër shkencor”.

Aktualisht, sqaron ai, përmbytjet në lagjet e qytetit të Shkodrës, të fushës së Mbishkodrës dhe të Nënshkodrës, vijnë pasi Drini bashkohet me Bunën dhe në periudhën e reshjeve fryhet niveli i ujërave.

Për shkak se pjerrësia e Bunës është shumë e vogël, ujërat në pamundësi të largohen në drejtim të perëndimit, kthehen një pjesë në liqenin e Shkodrës. Kjo sjell fryrjen e mëtejshme të liqenit të Shkodrës dhe përmbytje”.

Adriatik Balla thotë se zgjidhja për parandalimin e përmbytjeve nuk është Skavica.

Zgjidhja është të thellohet shtrati i Bunës, të ndahet Drini në dy pjesë në sektorin e pas Vaut të Dejës, pra një pjesë të shkojë në Lezhë, një pjesë të shkojë në Bunë dhe kështu të evitohet përmbytja”, – përfundon ai.

“Është Dibra e Skënderbeut dhe e të parëve tanë”

Ferzilete Gjika jeton prej 23 vitesh mes Amerikës dhe Dibrës. Ajo dëshiron të kthehet në vendlindje, pas dy dekadash emigracion. Prej njohjes me projektin, ajo është mobilizuar në informimin e dibranëve, kryesisht online dhe në terren.

Ditët e pushimit, ajo zgjedh t’i kalojë në Dibër dhe të komunikojë më patriotët e saj rreth shqetësimit të përbashkët.

Unë jam banore e fshatit Fushë-Aliaj në Dibër, i cili do të përmbytet si rezultat i ndërtimit të Skavicës”, – thotë Ferzileta, e cila e konsideron Dibrën krenarinë e të gjithë shqiptarëve.

Ferzilete Gjika, aktiviste

Të gjitha luftërat që janë zhvilluar në kohën e Skënderbeut janë në këto fshatra që do të përmbysën me ujë. Dhe si mund të zhdukësh historinë e Skënderbeut që është historia e kombit shqiptar?”, – ngre pyetjet ajo, e merakosur se nën ujë do të humbasin gjithashtu kujtimet dhe gjithçka që atë e lidh me vendlindjen.

Është dhimbje shumë e madhe të mendosh që varret e të parëve tanë do të mbulohen me ujë. Është vendim diskriminues ndaj popullit dibran”, – thotë Gjika.

Për Ajet Lushën, ajo çka po i ndodh Dibrës është pasimi i një politikëbërjeje që ka shkatërruar natyrën. “E lanë Lurën, na shkatërruen Drinin. Këtu veç se s’ka njerëz se këtu ka ardh koha me vdekë”, – përmbyll ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *