Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Tirana Design Week”: Nga varfëria te lëvizjet urbane në Tiranë

“Kemi punuar me elementë kyç që janë konflikti, teknologjia, gjithëpërfshirja dhe varfëria”,- tregon për Citizens Channel Valerio Perna, kuratori i “Tirana Design Week” e cila u përmbyll javën që lamë pas.

Aktiviteti i përvitshëm, i organizuar nga universiteti Polis, kuruar nga Santina Di Salvo, Valerio Perna dhe Endri Dani u përqëndrua këtë vit në zhvillimin e botëve të reja.

Valerio Perna

“Nga qytetet post pandemike këtë vit jemi fokusuar sesi dizajni mund të na ndihmojë për zhvillimin e botëve të reja. Por botët e reja janë ndikuar gjithmonë nga perëndimi, p.sh. inteligjenca artificiale etj., e këtu lind diskutimi që pse qytetet e së ardhmes duhet të jenë perëndimore? A nuk mund të jenë të ndikuar nga Afrika? A nuk mund të jenë të ndikuara nga Ballkani, nga Azia etj.”, – analizon Perna

Për ta bërë më konkrete këtë qasje edhe të ftuarit kanë qenë pikërisht nga këto vende, përmendim këtu artistin Yonamine nga Angola. Yonamine ngjiti disa postera në zona periferike të Tiranës me nënshkrimin: “Kushton shumë të jesh i varfër!

Artisti përdor posterin, si paralelizim me reklamat që shohim shpesh si p.sh.: “Riparime këpucësh”, “Hidraulike” etj, të cilat sipas tij pushtojnë hapësirat dhe masin pulsin e qytetit.

“Ideja jonë ishte të vendosnim tabelat tona në zemër të qytetit, në të njëjtat pemë apo vendndodhje, sikur të ishin reklama të përditshme lokale. Në këtë mënyrë mund të ndjejmë dëshpërimin, zhvillimin dhe papunësinë dhe krijimtarinë e guximshme të një shoqërie që i mungon gjithçka”,- shpjegon Yonamine për Citizens Channel.

Artisti pohon se Shqipëria i ka dhënë përshtypjen e periferisë shumë të çorganizuar e ngjashme me Amerikën Latine, ku mesazhi i tij gjen vend lehtësisht.

“Konstatova një kontrast shumë të fortë midis vendeve ku ngjisja posterat dhe makinave të shtrenjta që lëviznin në qytet”,- thekson ai.

“Kushton shumë të jesh i varfër!” është një ekspozitë që ka bërë xhiron e nëntë shteteve.

Tirana e “të ardhurve”

Një tjetër diskurs, pjesë e “Tirana Design Week” ishte edhe Tirana e “të ardhurve”, i mbajtur nga Ervin Goci në “Berk”. Pedagogu Goci së bashku me një grup studentësh nga Kanadaja ka zhvilluar një ekspeditë studimore në zonën e 5 majit, përfundimet se cilës janë pasqyruar në revsitën arkitekturore “On site review“.

Pamje gjate diskutimit

“Këto zona që quhen informale, që quhen zona e të të ardhurvë, që atemohen si njerëz të përkohshëm, që në mënyrë aksidentale i kanë zënë këto toka, përbën atë lloj modeli të zhvillimit spontan, me shtëpia sipas nevojave të familjes, me rrugë të ndërtuara me një farë distance, me oborre te mëdha, për lëvizjet me këmbë, të gjitha këto elementë që gjehen vetëm aty“, analizon Goci.

Sipas tij, këto ndërtime janë parë gjithmonë si ndërtime që nuk kanë lidhje me modernitetin, nuk kanë lidhje me progresin apo me atë çfarë ndodh në vende të zhvilluara; kjo referuar jo vetëm zonës së 5 majit por edhe Paskuqanit, Unazës, Bulevardit të Ri etj.

“Ne themi që këta janë të përkohshëm por në momentin që ka zgjedhje këta njerëz bëhen të përjetshëm. Vetë iniciuesi i rindërtimit, ku është sot? Këta janë të përkohshëm por edhe ata që bëjnë politika ndaj këtyre janë të përkohshëm“, thekson Goci.

Ai shton se çdo lloj projekti që injoron komunitetin dhe mundohet të krijojë një vit zero është një projekt që në vetvete eshtë i përkohshëm.

“Qyteti në fund fare përbëhet nga njerëz, më gjeni një projekt sot që ka marrë në konsideratë qytetin, që është pa trauma dhe pa protestë dhe është një projekt që qyteti e ka gëzuar dhe ka zënë vend? Unë nuk njoh një projekt të madh të tillë!”, shprehet Goci.

Ai përfundon se propaganda e qeverisë këta grupime të zhvendosurish i ka parë gjithmonë si fise tribale zaptuese dhe nuk është zhvilluar kurrë një debat cilësor për të analizuar arsyet dhe pasojat njerëzore që sollën këto zhvillime urbane.

“Më thoni sot një zonë të Tiranës që ka gjelbërim dhe të krijon aromën apo ndjesinë e natyrës? Sot duket një gjë e paimagjinueshme“,- përmbyll Goci.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *